Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, ka folur për zgjedhjet në Partinë Demokratike në 29 korrik, duke u shprehet se pret një proces të lirë dhe transparent.
“Kjo nuk është garë mes Hanit dhe Bashës, sfida është sesa procesi është transparent, ku të mos manipulojmë votat”, tha Alibeaj, duke theksuar se “duhet një PD rreth vlerave”.
“PD e suksesshme nuk do të jetë një parti që të varet nga shijet, humori i një individi. Një parti që varet cili është lideri, më mirë të mos ekzistojnë!
PD është një mekanizëm, një organizëm që nuk varet vetëm se kush është në krye të saj. Është detyrimi ynë që t’ua japim të gjithë demokratëve që qëndruan në një betejë epike për ta mbajtur gjallë Partinë Demokratike”.
I pyetur se përse shumica e grupit parlamentar demokrat punoi për të sjellë sërish Lulzim Bashën në krye të PD-së, që ka dorëzuar kandidaturën për të drejtuar sërish partinë, Alibeaj tha se “deputetët janë shpirtra të lirë”. Në deklaratën e tij, ruajti tonet e qeta, duke u shprehur se “kjo është shenjë e mirë që do të tregojë se demokratët do të vlerësojnë vetë procesin”.
“Partia nuk është grupi parlamentar. Grupi parlamentar është pjesa më e përzgjedhur e partisë që ka një mision. Nuk ka të drejtë të ndërhyjë në procesin organizativ të partisë. Çdokush ka të drejtën të bëjë zgjedhjen e tij.
Nuk është çështje numrash, është çështje vlerash. A nuk do të ishte një shenjë e mirë që t’ia lemë demokratëve ta vlerësojnë në një proces të ndershëm dhe të barabartë. Ne kemi një detyrë si PD, që zëri i secilit prej tyre të dëgjohet”.
Garën kryesore për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka me Gjergj Hanin. Kandidati që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë, është mik i Enkelejd Alibeajt dhe duket se ka mbështetjen e ish-kreut të komanduar të partisë.
Top Channel