31 të vdekur dhe 7 të plagosur pas shpërthimit të gazit në një restorant barbecue në Kinë

22/06/2023 10:02

Të paktën 31 persona kanë vdekur dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur në qytetin kinez Yinchuan, në rajonin veriperëndimor Ningxia, pas shpërthimit të gazit në një restorant Barbecue të mërkurën mbrëma, sipas mediave shtetërore.

Shpërthimi u shkaktua nga rrjedhja e një prej rezervuarve të gazit të lëngshëm brenda restorantit. Nga shtatë të plagosurit, një person është ende në gjendje kritike për jetën. Gjashtë të tjerët po trajtohen në spital për lëndime të lehta, djegie dhe prerje xhami.

Autoritetet lokale të zjarrfikësve dërguan 20 automjete dhe më shumë se 100 personel në vendngjarje, me operacionet e kërkim-shpëtimit që zgjatën deri në orën 4 të mëngjesit të së enjtes, sipas medias shtetërore.

Fotot e postuara nga media shtetërore tregojnë ndërtesën e dëmtuar, me pamje të jashtme të nxirë, mbeturina në tokë dhe tym në ajër. Zjarrfikësit janë parë duke hyrë në katin e dytë në një shkallë dhe duke nxjerrë njerëzit me barela.

Udhëheqësi kinez Xi Jinping e quajti shpërthimin “zemërthyes” dhe tha se ishte një “mësim i thellë”. Ai ka urdhëruar autoritetet në vendngjarje, të bëjnë të gjitha përpjekjet për të trajtuar të lënduarit, për të forcuar mbikëqyrjen e sigurisë dhe mbrojtur sigurinë e banorëve.

Hetimet e policisë dhe zjarrfikësit në vendngjarje zbuluan se dy punonjës të restorantit kishin ndjerë erë gazi rreth një orë para shpërthimit, tha qeveria Yinchuan në një deklaratë të postuar në internet të enjten. Dy punonjësit zbuluan se valvula e rezervuarit të gazit ishte thyer dhe dërguan një tjetër punonjës për të blerë një të re. Shpërthimi ndodhi teksa po ndërronin valvulën.

Policia ka arrestuar 9 persona dhe ka ngrirë pasuritë e tyre, duke përfshirë menaxherin e restorantit, punonjësit dhe aksionarët, sipas medias shtetërore China Youth Daily.

Restoranti ndodhet në një rrugë të frekuentuar, raportojnë mediat shtetërore. Incidenti ndodhi pak përpara se Kina të fillonte festën e saj kombëtare tre-ditore, nga e enjtja deri të shtunën, duke shënuar Festivalin e Varkave të Dragoit.

Vendi është tronditur nga një sërë incidentesh sigurie këtë vit. Një shembje në një minierë qymyri në Mongolinë e Brendshme në shkurt la 53 të vdekur; më pas në prill, zjarri më vdekjeprurës që goditi Pekinin në dy dekada, vrau 29 njerëz në një spital.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA