Zelensky: Bizneset duhet të kenë besim, ajo që është rindërtuar nuk do të bjerë në Ukrainë

21/06/2023 11:25

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për udhëheqjen e eventit dhe mbështetjen e ofruar ndaj vendit të tij.

Presidenti ukrainas thekson nevojën për besimin e biznesit se ajo që do të rindërtohet në Ukrainë “nuk do të bjerë”.

“Ne mbrojmë Ukrainën dhe mbrojmë lirinë. Dhe kur të ndërtojmë Ukrainën, ne do të ndërtojmë lirinë. Vendi, rajoni, kontinenti, bota: kjo është një detyrë globale,” thotë ai.

Zelensky thotë se Ukraina “ka arritur ta bëjë BE-në aq të bashkuar sa nuk ka qenë kurrë më parë”.

Të paktën 600 miliardë konsumatorë “varen drejtpërdrejt nga prodhimi ynë bujqësor” dhe lufta thekson rëndësinë e produkteve të grurit ukrainas, tha Zelensky.

“Është energjia e gjelbër që garanton stabilitetin e vërtetë të energjisë. Ukraina mund të jetë dhe do të jetë një nga furnizuesit kryesorë,” thotë ai, duke treguar ndikimin e varësisë së botës nga karburantet fosile ruse.

“Burimet kritike për ekonomitë moderne, si litiumi, janë të pranishme në Ukrainë“- tha lideri ukrainas.

Sipas Zelenskyt, burimet dhe toka nuk ishin të vetmet arsye pse Rusia pushtoi Ukrainën.

“Shefat rusë kanë shumë, shumë frikë nga demokracia jonë… sepse demokracia hap rrugën për sundimin e ligjit, heqjen qafe të korrupsionit dhe parimet kryesore të vendeve tona: çdo person ka rëndësi.

Duke ndërtuar Ukrainën ne po ndërtojmë shumë më tepër se një vend, ne po ndërtojmë një botë siç do të jetë gjatë jetës së brezit tonë dhe pas nesh.

A do të jetë paqësore? A do të jetë e qëndrueshme? A do të jetë demokratike? Kjo varet nga të gjithë ne”- u shpreh ndër të tjera Zelensky.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA