Duket se rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë ka sjellë edhe rastet e para të abuzimeve nga bizneset.
Tatimet kanë lajmëruar kapjen e një skeme mashtruese të disa shoqërive që operonin në sektorin fason. Në njoftim thuhet se kompani të lidhura me njëra-tjetrën, nëpërmjet hapjes dhe mbylljes së NIPT-eve si dhe transferimit të aktivitetit në emra të ndryshëm kanë arritur të shmangin pagesat për sigurimet shoqërore.
Në skemë ishin të përfshirë shtetas shqiptarë dhe italianë, ndërsa nuk ka të dhëna për vlerën e dëmit që i kanë shkaktuar buxhetit.
Sektori i fasonerisë është një nga më të rëndësishmit në vend, ndërsa përbëjnë dhe peshën kryesore në eksportet e mallrave. Vitin e kaluar ishin 1 miliardë e 140 milion euro të eksportuara, ndërsa janë rreth 70 mijë të punësuar. Përfaqësuesit e sektorit shprehen se pas rritjes historike në 2022, tashmë po përballet me një krizë që vjen nga faktorë si zhvlerësimi i euros dhe mungesa e punonjësve.
Qeveria ka marrë disa masa për të mbrojtur nga mbiçmimi i lekut bizneset që eksportojnë 70% të produkteve të tyre, ku përfshihen shtyrja e kësteve të tatim-fitimit dhe rimbursimi më i shpejtë i TVSH-së.
Top Channel