Struga do të përballet në raundin e parë të Champions League me skuadrën lituaneze Zalgiris.
Ekipi shqiptar që drejtohet nga tekniku kryeqytetas Shpëtim Duro do të ketë një rival të vështirë në letër, por jo të pamundur. Sezonin e kaluar skuadra e Zalgiris ishte ekipi që eliminoi në raundin e parë të Champions League një tjetër ekip shqiptar, Kampionët e Kosovës Ballkanin. Skuadra e Ilir Dajës u përball denjësisht me lituanezët. Zalgiris avancoi më tej vetëm në kohën shtesë falë një goli në minutën e 97-të.
Më tej në raundin e dytë lituanezët kaluan më sukses edhe suedezët e Malmos, ndërsa në raundin e tretë u eliminuan nga Bodo Glimit. Në Play-Off-in e Europa League, Zalgiris nuk mundi t’i bëj ballë Ludogorets, megjithatë lituanezët kishin siguruar pjesëmarrjen në grupet e Conference League, aty ku e mbyllën në vendin e fundit me vetëm 5 pikë të siguruara. Në grupin H, Zalgiris u përballë me skuadrat e Slovan Bratislavës, Bazelin dhe Pyunik Yerevan.
Për sa i përket vlerës së skuadrës lituaneze në sajtin e specializuar “Transfermarkt”, skuadra e Zalgiris nuk e kalon shumën e tetë milionë eurove.
Në anën tjetër, Struga do të tentojë të shkruaj historinë me një trajner ekspert si Shpëtim Duro. Tekniku kryeqytetas bëri mirë edhe me Laçin sezonin e shkuar aty ku kaloi në raundin e parë të Conference League skuadrën e Iskra, ndërsa më tej kurbinasit u eliminuan nga Petrocub.
Në historinë e klubit Struga ka luajtur vetëm një herë në Europë, në sezonin 2021/2022 në raundin e parë të Conference League, aty ku u eliminuan nga Liepaja. Tani skuadra shqiptare do të tentojë të shkruaj sërish historinë pas fitimit të titullit kampion. Struga, ndeshjen e parë përballë Zalgiris do ta luaj në Lituani, me sfidën që do të zhvillohet me 11 korrik, ndërsa 1 javë më pas kualifikimi do të vendoset në Maqedoninë e Veriut.
Top Channel