Mirë me SHBA-në, mirë me Gjermaninë: Nisin konsultimet Pekin-Berlin!

20/06/2023 10:51

Me nderimet më të larta shtetërore dhe ceremoni ushtarake është pritur në Berlin kryeministri i Kinës, Li Qiang.

Kreu i ekzekutivit kinez ndodhet në Gjermani për fillimin e konsultimeve ndërqeveritare mes dy vendeve, të mbajtura nën moton, “Së bashku për një qëndrueshmëri më të gjatë” , e ku marrin pjesë edhe rreth 20 ministra.

Pavarësisht se fokusi kryesor i diskutimeve është lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe ristrukturimi i ekonomisë, një vëmendje e madhe do t’i kushtohet padyshim edhe marrëdhënieve tregtare dypalëshe si dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë, ku Kina ka një pozicion ndryshe nga vendet perëndimore.

Pekini nuk e ka dënuar hapur kurrë agresionin rus ndaj vendit fqinj. Kjo është e shtata herë që dy palët zhvillojnë konsultime të nivelit të lartë qeveritar; takimi vjen po kështu një ditë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken u takua me Presidentin kinez Xi Jinping, duke dëshmuar një tentativë për përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara me lidershipin kinez.

Vitet e fundit kanë ardhur duke u ftohur edhe marrëdhëniet e Kinës me Gjermaninë, e një prej arsyeve kryesore është trajtimi i rezervuar pakicave kombëtare si dhe aspiratat e Kinës për t’u bërë një fuqi e madhe në rajonin Indo-Paqësor – duke përfshirë kërcënimet me pushtimin e Tajvanit, që ka shkaktuar shqetësime të mëdha.

Edhe pse pas sulmit brutal rus në Ukrainë, pati kërkesa të mëdha qe Gjermania te ulë varësinë ekonomike jo vetëm nga Moska, por edhe nga Kina, kjo e fundit vazhdon të mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Berlinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA