Kërcënim për sulm, Franca ndalon tubimin e opozitës iraniane

20/06/2023 13:20

Franca ndaloi mbajtjen e një tubimi të opozitës iraniane për shkak të rrezikut të një sulmi terrorist

Tubimi do të zhvillohej pas lirimit të një diplomati iranian të dënuar për një komplot me bomba kundër këtij grupi në 2018-tën. Ndalimi i protestës erdhi në një kohë kur fuqitë perëndimore po kërkojnë zbutjen e tensioneve me Iranin.

Pak javë më parë, ky i fundit liroi nga burgu disa evropianë, përfshirë edhe dy shtetas francezë. Vetë shefi i Elizesë, Emmanuel Macron zhvilloi një telefonatë 90-minutëshe me presidentin iranian Ebrahim Raisi më 10 qershor.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (KKRI) me seli në Paris, krahu politik i Organizatës së Muxhahidëve të Popullit të Iranit, ka zhvilluar mitingje të shpeshta në kryeqytetin francez përgjatë viteve, shpesh edhe me pjesëmarrjen e ish zyrtarëve amerikanë, evropianë dhe arabë të profilit të lartë, të cilët kanë qenë kritikë ndaj Republikës Islamike.

Mijëra vetë u mblodhën në një miting të ngjashëm në qendër të Parisit edhe në muajin shkurt dhe korrik.

KKRI-i po planifikonte mbajtjen e tubimit të madh siç ka bërë vitet e fundit. “Por duke pasur parasysh valën e protestave antiqeveritare në Iran për vdekjen e një vajze 22-vjeçare në paraburgim dhe tensionet e krijuara, konsiderohet se tubimi mund të sjellë rreziqe madhore sigurie“. thuhet në letrën e shefit të policisë së Parisit, Laurent Nunez.

Për këtë arsye, eventi i organizuar çdo vit që nga 2008-ta, këtë radhë nuk do të mund të mbahet, vazhdon Nunez, ndërsa zyrtarë të tjerë policorë pohuan për Reuters se tubimi mund të “trazonte rendin publik edhe për shkak të kontekstit gjeopolitik“.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA