I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se situata e tensionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë “ka potencial të bëhet një konflikt rajonal”.

Ai ka folur në një debat të Këshillit të Atlantikut në Uashington ndërsa ka përmendur edhe policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia, lirimi i të cilëve ka thënë se duhet të ndodh menjëherë.

“Jam shumë i shqetësuar se kjo situatë ka potencial të bëhet një konflikt rajonal, një konfrontim rajonal, prandaj ne jemi shumë, shumë mbështetës të përpjekjeve evropiane… Shtetet (Kosova dhe Serbia) janë në Evropë, aspirata e tyre më e lartë është të jenë pjesë e Evropës dhe ndërsa normalizojnë marrëdhëniet e tyre, po harmonizojnë gjithashtu sistemet e tyre me Evropën dhe gjithashtu si mbështetësi më i madh i Kosovës ne do të dëshironim t’i shihnim si pjesë të NATO-s, si pjesë e Bashkimit Evropian, kështu që ajo që ne duam është një proces që adreson shqetësimet e pesë (shteteve) mosnjohësve, dhe ky duhet të jetë një proces evropian”, ka thënë ai.

Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të ulën në tavolinën e dialogut.

“Ne do të donim ta shihnim menjëherë. Dua të them, qëndrimi ynë është se a janë rrëmbyer apo janë gjetur gabim në territorin serb, ata nuk kishin ndërmend të ndodheshin në territorin serb dhe prandaj ata duhet t’u kthehen familjeve menjëherë”, ka thënë ai.

Pjesë e këtij debati ka qenë edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se “nëse nuk arrijmë të de-eskalojmë situatën, atëherë kjo do te thotë se jemi në pritje të viktimave”.

Situata është shumë e vështirë. Jam shumë i shqetësuar, nuk po e fsheh këtë gjë. Që nga 26 maji ka njerëz në rrugë, është Policia e Kosovës, është KFOR-i dhe tashmë kemi parë disa incidente dhe e konsideroj si prioritet të parë de-eskalimin, largimin e njerëzve nga rruga dhe kthimin në dialogu. Dhe sigurisht, si pjesë e normalizimit të procesit është që të ketë zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës pa asnjë kusht. Nëse nuk arrijmë të de-eskalojmë situatën, atëherë kjo do te thotë se jemi në pritje të viktimave dhe nuk mendoj se mund ta përballojmë të ndodhë kjo gjë”, ka thënë Lajçak.

Ai gjithashtu ka thënë se personat që kanë ushtruar dhunë në protestat në Zveçan duhet të përballen me drejtësinë.

“Nuk ka dyshim se më 29 maj, kur pamë skenat nga Zveçani, kishte elemente radikale, kishte njerëz që erdhën me qëllim për të lënduar, ndoshta edhe për të vrarë. Ata ishin të armatosur, kishin granata dore dhe qëllimi i tyre ishte të krijonin dhunë. Nuk ka asnjë justifikim dhe nuk duhet të ketë falje për këta njerëz, këta njerëz duhet të përballen me drejtësinë dhe kjo është shumë e qartë. Por ne gjithashtu nuk duhet të zbatojmë parimin e fajit kolektiv për të gjithë serbët që jetojnë këtu, nuk mund të themi se janë 45 mijë kriminelë që jetojnë në veri, kështu që vërtet duhet të identifikojmë ata që kanë kryer krime dhe ata duhet të ndiqen penalisht për ato. Dhe në të njëjtën kohë, natyrisht, ne duhet të punojmë me serbët që duan të kenë një jetë normale dhe ne duhet t’i ndihmojmë ata ta arrijnë atë”, ka thënë ai.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviç-Llune.

Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA