Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet në Berlin ku është pritur nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ku është diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës.
Në konferencën për media pas takimit, Stoltenberg deklaroi se KFOR do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.
Ai gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut dhe të ndalojnë çdo hap përshkallëzues.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi Stoltenberg.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ende i pavendosur nëse do të shkojë në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë kësaj jave.
Kurti tha se fillimisht do të presë të dhënat për gjendjen e tre policëve të rrëmbyer që ndodhen në Serbi. Ai bëri të ditur se nesër shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari do t’i vizitojë tre policët në qendrën e paraburgimit në Kralevë.
Top Channel