Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë sërish thirrje për çtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo thirrje vjen në mes të rritjes së tensioneve mes dy shteteve pas arrestimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës javën e kaluar.

“Forcat tona [të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR] do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt”, tha Stoltenberg për gazetarët në Berlin pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

As liderët në Kosovë, e as ata në Serbi duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Ky i fundit, ka deklaruar se pa kuptuar gjendjen e policëve, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, nuk do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA