Katër persona janë arrestuar në Durrës për ushtrim dhe shfrytëzim prostitucioni kryer në bashkëpunim.
25-vjeçari B. K., banues në Fier dhe 30-vjeçari Xh. K., banues në Kavajë, në bashkëpunim shfrytëzonin për protitucion shtetasen L. T., duke i siguruar asaj klientë të ndryshëm dhe hotele në qytetet e Durrësit, Kavajës, Lushnjës dhe Fierit, kundrejt pagesave që varionin nga 80-150 euro.
Gjithashtu dy bashkëpunëtorët siguronin automjetet me të cilat transportonin këtë shtetase dhe merrnin personat që kishte kontaktuar ajo. Gjatë kontrollit fizik gruas iu gjet nga policia një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe 24-vjeçari E. Z., banues në Durrës, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit V. T. dhe M. V., për veprat penale “Ushtrimi i prostitucionit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë, 300 000 lekë, 200 euro dhe një automjet tip “Ford Fiesta”.
Arrestimi i tyre për veprat penale “Ushtrimi i prostitucionit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim, u realizua nga një hetim katërmujor i Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës.
Sipas policisë materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.
Top Channel