Viola von Cramon i kujtoi Serbisë synimet për t’u bërë një vend anëtar i Bashkimit Europian, e si i tillë, tha raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, duhet të zbatojë sundimin e ligjit, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i largojë sa më shpejt policët e arrestuar të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, zyrtarja europiane la të kuptohet se protestat kombëtare që po zhvillohen në Beograd kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç mund të jenë arsyeja e veprimit “të tepruar dhe të papërshtatshëm” ndaj zyrtarëve kufitarë të Kosovës.

“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion të brendshëm? Ata analizojnë mënyrat për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme. Një shembull klasik i kësaj duket të jetë dhe incidenti në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ajo.

Në Beograd është protestuar gjashtë herë këto javët e fundit me thirrjet për dorëheqjen e Vuçiçit. Protestat nisën në shenjë pakënaqësie ndaj reagimit të Qeverisë së Serbisë ndaj dy episodeve me të shtëna masive, në fillim të majit, në të cilat kanë humbur jetën 18 persona. Zyrtarja europiane pohoi se në bazë të informacioneve të deritanishme, policët nuk kanë lëvizur makinat e tyre, por kanë ecur në këmbë në zonën kufitare me Serbinë.

“Edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht një njoftimi, është e paligjshme që të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të Serbisë dhe të lidhësh zyrtarët policorë si kriminelë lufte, dhe t’i dërgosh në Beograd”, u shpreh ajo.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposavicit, brenda territorit të Kosovës, ndërsa Beogradi insiston se ata u ndaluan brenda tokës serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA