Të ëmblit e verës, zbuloni llojet më të mira të fiqve

16/06/2023 23:05

Nga të gjithë produktet, fiqtë janë ata që ngjallin më shumë kujtime veçanërisht nga fëmijëria teksa shumë prej nesh kacavirreshin nëpër pemë për t’i mbledhur.

Por, ajo që nuk dinim e ndoshta shumë prej nesh nuk e dinë akoma, është se fiqtë janë një burim shumë i pasur me fibra dhe plot me vitamina e minerale.

Fiqtë janë të pasur me kalium, kalcium, magnez, hekur si dhe janë një burim shumë i mirë me antioksidantë, me vitamina A, E dhe K që kontribuojnë në shëndet dhe mirëqenie.

Fiqtë luajnë një rol shumë jetësor në organizëm sidomos për të kundërshtuar efektet e kripës, e cila zvogëlon përthithjen e kaliumit dhe rrit tensioni e gjakut.

Fiku klasifikohet kryesisht në bazë të ngjyrës që ka dhe mund të jetë jeshil, i verdhë, vjollcë, i zi dhe i bardhë. Duke marrë për bazë ngjyrën, përzgjedhja e fikut lehtësohet ndjeshëm. Një fik i pjekur siç duhet arrin të ruajë ngjyrën edhe pasi është këputur.

Fiqtë i gjejmë në përmasa të ndryshme, të vegjël, mesatarë dhe të mëdhenj. Në bazë të përmasës, ndryshon edhe shija dhe aroma e frutit.

Natyra e ngjyros fikun me disa prej nuancave më të bukura si në pjesën e jashtme, ashtu edhe në brendësi të tij. Tuli i fikut shpesh ka ngjyrë të zbehtë, të kuqe ose vjollcë, në varësi të kultivarit.

Tipet dhe llojet e fiqve

Në botë numërohen mbi 700 lloje fiqsh. Jeshilët janë më të përhapurit, dhe më pas vijnë të verdhët. Fiqtë jeshilë janë më të përdorurit në botë për tharje, pjekje, gatime dhe për ngrënie.
Në përgjithësi, fiqtë klasifikohen në katër tipe kryesore: Caprifig, Calimyrna, fiqtë e zakonshëm dhe fiqtë e kultivarit San Pedro.

Pavarësisht ngjyrës, fiqtë i përkasin të paktën njërës prej këtyre kategorive. Fiqtë jeshilë janë të lehtë për t’u rritur.

Kjo pasi falë ngjyrës, fruti përshtatet shumë me pemën dhe rrjedhimisht gjasat janë më të pakta që fiku të bjerë pre e zogjve apo kafshëve.

Fiqtë e zinj nga ana tjetër ia kalojnë varieteteve të tjera me ngjyrë të kuqe, kafe ose vjollcë.

Fiqtë e zinj karakterizohen nga përmbajtja më e lartë e sheqerit natyral dhe ëmbëlsia që dhurojnë është e pashoqe.

Ata përmbajnë madje edhe më shumë zink që është një kontribues kryesor në prodhimin e testosteronit, një nga hormonet mashkullore më të rëndësishme.

Në aspekt vlerash, duhet të dini që si fiqtë jeshilë ashtu edhe ata të zinj ofrojnë të njëjtat përfitime, duke nisur nga shmangia e rrezikut të zhvillimit të radikaleve të lira dhe shfaqjes së diabetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA