Serbia nuk është harmonizuar me vendimin e Bashkimit Evropian (BE) në lidhje me sanksionet ndaj Iranit, konfirmohet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe siguri të përbashkët, Josep Borrell.
Bëhet fjalë për masa kufizuese që nga viti 2011, të drejtuara kundër personave dhe subjekteve të caktuara, duke pasur parasysh situatën në Iran. Në maj të këtij viti, BE-ja shtoi pesë persona dhe dy subjekte në listën e atyre që u nënshtrohen këtyre masave kufizuese.
Nga ana tjetër, Serbia u harmonizua me vendimin e BE-së për ndryshimin e vendimit lidhur me masat kufizuese, duke marrë parasysh situatën në Siri. Bëhet fjalë për ndryshime në paketën e sanksioneve ndaj Sirisë, të cilat i referohen zgjerimit të listës së personave dhe subjekteve që i nënshtrohen sanksioneve apo zgjatjes së disa sanksioneve.
Të gjitha vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor kanë respektuar vendimet për masat kufizuese kundër Iranit dhe Sirisë. Me këto masa janë harmonizuar edhe vendet që janë pjesë e hapësirës së përbashkët ekonomike, si dhe Ukraina dhe Moldavia.
“Këto vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në harmoni me këtë vendim të Këshillit. Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, tha Borrell në deklaratë. /REL
Top Channel