Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar të çuditshme ftesën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për takim të nivelit të lartë javën e ardhshme.
Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se kur ka kërkuar takim për këtë javë, kërkesa e tij është refuzuar nga Borrelli me arsyetimin se situata duhet të çtensionohet, ndërsa tani ka ftuar menjëherë takim pas rrëmbimit të policëve dhe kur situata është tensionuar edhe më shumë.
Kurti ka deklaruar se nuk ka vendosur nëse do të shkojë në këtë takim, ndërsa do ta njoftojë Borrell me kohë për vendimin e tij.
“Në lidhje me ftesën e fundit nga z. Borrell të takohemi në Bruksel pak e kam të çuditshme sepse kur kërkova javën e kaluar të takohemi në Bruksel z. Borrell tha se na duhet de-eskalim dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë Borrell kërkon takim të nivelit të lartë, kur eskalimi është i lartë sa një mal atëherë marr ftesë që të shkoj në takim të lartë kurse kur kërkova takim paraprakisht më thanë se nevojitej de-eskalim, ende nuk kam vendosur mirëpo do ta informoj në kohë z. Borrell sepse nuk mu paraqit për këtë javë por për javën e ardhshme”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se është i përgatitur për takime, pasi dëshiron që marrëveshjet e arritura deri më tani të implementohen.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që bota ta dënojë agresionin e Serbisë, pasi rrëmbeeu tre policë të Kosovës brenda territorit të vendit, ndërsa ka kritikuar KFOR-in për mospozicionim në rastin e incidentit.
Kujtojmë se Borrell tha të enjten se do të ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel në një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Top Channel