Vijojnë kërkimet për qindra të zhdukur në tragjedinë e anijes në Greqi, 78 të konfirmuar të vdekur (fotot)

15/06/2023 17:26

Autoritetet thonë se 104 njerëz janë shpëtuar por në anijen e tragjedisë mund të ketë pasur deri në 750 emigrantë në bord.

Megjithë shpresat e pakta për të mbijetuar, grupet greke të shpëtimit vijojnë kërkimet për njerëz nga peshkarexha tragjike që u fundos të mërkurën duke vrarë të paktën 78 njerëz, teksa frikat janë se viktimat mund t’i kalojnë 500.

“Kjo mund të jetë tragjedia më e rëndë detare e Greqisë vitet e fundit,” tha Stella Nanou e agjencisë së refugjatëve të OKB, për televizionin shtetëror ERT. Një tjetër zyrtare e UNHCR, Erasmia Roumana, e përshkruante tragjedinë si “të tmerrshme”.

Roumana shtonte se të mbijetuarit janë në gjendje të rëndë psikologjike dhe të tmerruar nga njerëzit e humbur që udhëtonin me ta.

104 të mbijetuarit ishin të gjithë burra të moshave nga 16 deri në 40 vjeç, thanë autoritetet. “Ata janë nga Afganistani, Pakistani, Siria e Egjipti,” tha Giorgos Farvas, drejtues i portit të Kalamata.

“Ata janë kryesisht të rinj, por të shokuar e të ezauruar”, shtoi duke thënë se një pjesë janë shtruar në spital.

Raportimet sugjerojnë se rreth 750 njerëz ishin ngjeshur në barkën tragjike të peshkimit që u fundos rreth 50 milje larg qytetit bregdetar të Pylos teksa po ndiqeshin nga roja bregdetare greke.

“Barka ishte 25-30 metra e gjatë me kuvertën e mbushur me njerëz, ndërsa supozojnë se e mbushur me njerëz ka qenë edhe në brendësi”.

Zëdhënësi qeveritar Ilias Siakantaris, tha se trafikantët shpesh “mbyllim njerëzit në kabina për të siguruar kontrollin”.

Qeveria e përkohshme e Greqisë tha se ka shpallur tre ditë zie kombëtare ndërsa është pezulluar fushata e kontestuar elektorale e 25 qershorit.

FOTO GALERI
1/7
Autoritetet thonë se 104 njerëz janë shpëtuar por në anijen e tragjedisë mund të ketë pasur deri në 750 emigrantë në bord.

Top Channel