Një 21-vjeçare amerikane ka humbur jetën pasi është sulmuar nga një tjetër turist amerikan pranë një kështjelle të njohur shkembore në Gjermani, njoftonte sot policia vendase pas ekzaminimeve të para të ngjarjes tragjike.
Policia në landin jugor të Bavarisë konfirmonte se shtetasi amerikan u ndalua si autor i dyshuar.
E reja që po shëtiste një ditë më parë me një shoqe pranë kështjellës Neuschwanstein ishin takuar me një 30 vjeçar që i kishte kërkuar t’i ndiqte në një shteg me pamje të veçanta panoramike, shkruan agjencia franceze AFP.
Por teksa vajzat e ndiqnin ai kishte sulmuar viktimën 21-vjeçare, dhe teksa shoqja e saj 22-vjeçare përpiqej ta ndihmonte burri e kishte shtrënguar nga fyti duke e shtyrë në një rrëpirë të thepisur.
Policia tha se burri kishte tentuar të sulmonte seksualisht 21-vjeçaren, duke e shtyrë edhe atë me pas poshtë rrëpirës.
Punonjësit e ndihmës kishin gjetur dy vajzat e rrëzuara dhe dërguan 21-vjeçaren me helikopter në spital, ku tragjikisht humbi jetën.
Gjendja e shoqes së saj 22-vjecare nuk u bë e qartë sot nga autoritetet.
Një zëdhënës i ambasadës së SHBA në Berlin tha për rrjetin CBS News se ishin në dijeni të një “incidenti me disa individë të përfshirë” por nuk dha më shumë detaje prej “konsideratave të privatësisë”.
Policia tha se vijon hetimet.
Neuschwanstein, në jug të Bavarisë pranë kufirit austriak, është një nga atraksionet më të njohura turistike në Gjermani.
Top Channel