Më shumë se 100 persona janë mbytur dhe të tjerë janë zhdukur pasi një varkë që i transportonte në lumin Niger në Nigerinë jugperëndimore u përmbys, thonë autoritetet.
Anija mbante më shumë se 300 pasagjerë që udhëtonin nga shteti Kwara në shtetin e Nigerit pas një ceremonie martese.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po përpiqeshin të gjenin më shumë të mbijetuar, thanë zyrtarët.
Varka u përmbys pasi u përplas me një pemë, tha një media lokale.
“Dhjetëra njerëz dyshohet se janë vrarë dhe shumë të tjerë [janë] ende të zhdukur”, tha të martën një deklaratë nga guvernatori i shtetit Kwara, AbdulRahman AbdulRazaq.
Emiri i Patigi, Ibrahim Umar Bologi II – sundimtari tradicional i zonës ku ndodhi – tha se më shumë se 150 njerëz kishin vdekur. Një zëdhënës i policisë së shtetit Kwara i tha agjencisë së lajmeve AFP se numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdonin.
AbdulRazaq dha “ngushëllimet e tij të përzemërta” për të dashurit e viktimave – dhe tha se shpëtimtarët po vazhdonin kërkimin për të mbijetuarit.
Aksidentet e lumenjve në këtë pjesë të Nigerisë janë të zakonshme.
Njerëzit që jetojnë në fshatrat në kufi me lumin Niger, i cili përshkon qendrën e vendit, shpesh e përdorin lumin pasi mund të jetë më i shpejtë se rrugët, të cilat shpesh mirëmbahen keq dhe janë të rrezikshme për shkak të pranisë së bandave rrëmbyese.
Sidoqoftë, operatorët e varkave shpesh mbingarkojnë anijet e tyre të rrënuara në një përpjekje për të fituar më shumë para.
Top Channel