Mbytja e peshkarexhës në Kalamata, Mitsotakis ndërpret fushatën elektorale dhe niset për tek zona e tragjedisë

14/06/2023 13:29

Një peshkarexhë në Kalamata të Greqisë është mbytur, ku deri më tani raportohen 59 të vdekur në ujërat e detit Mesdhe, ndërkohë që janë shpëtuar rreth 104 emigrantë klandestinë.

Kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 25 qershorit Kyriakos Mitsotakis, ka ndërprerë fushatën e tij elektorale dhe po shkon në zonën e tragjedisë. Po ashtu edhe presidentja e vendit Katerina Saqelaropulu. po shkon në Kalamata për të parë nga afër gjendjen.

Sipas rojës bregdetare greke, peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë, u batua dhe në vazhdim u mbyt në ujërat ndërkombëtare që ndajnë Greqinë me Italinë, 47 milje në jug të gadishullit të Peleponezit në zonën më jugore të tij, Pilos.

Peshkarexha ishte në kërkim që prej të paktën tre ditësh nga Italia, por edhe nga një shoqatë e emigrantëve.

Sinjali SOS u dërgua në numrin 112 dhe ishte pala italiane që njoftoi palën greke për avarinë e peshkarexhës. Meqë ishin ujëra ndërkombëtare, greket paralajmëruan anijet që kalonin në zonë të bëjnë kujdes dhe nisen në zonë një motovedetë si dhe helikopterë shpëtimi. Herët në mëngjes peshkarexha u mbyt.

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të tjerëve ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në peshkarexhën e mbytur.

Në zonë po mbërrijnë edhe anije të tjera ndihmëse si dhe një fregatë e marinës greke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA