Kolaudimi për pallatin 11-katësh në Durrës, një proces kyç për sigurinë e një objekti, jo vetëm është bërë 3 vite pasi objekti ishte i banueshëm, por ekspertja Ferzilet Hajdëri, ka miratuar si të rregullt objektin dhe nuk ka pasqyruar mangësitë.
Kur në të vërtetë, sipas prokurorisë, në muret rrethuese të garazhit nuk ishin vendosur pilotat. Është provuar që në zbatim janë hequr muret betonarme në garazh dhe janë lënë të hapura duke i zëvendësuar me vetrata xhami. Ashensori nuk zbret deri në garazh, janë ndërtuar shkallë nga jashtë për të zbritur në katin.
Të gjitha abuzimet ishin konstatuar edhe në vitin 2011. Inspektorët e ndërtimit kanë konstatuar aso kohe se jo vetëm po ndërtohej pa leje, por punimet ishin devijuar, ishte betonuar kolana e katit të pestë, kishin devijuar disa prej akseve, disa akse të tjera duhet të ishin ndërprerë po ato vijonin të zgjateshin. Për të gjitha këto shkelje aso kohe u kërkua pezullim i punimeve dhe gjobë 60 mijë lekë.
Në të njëjtën kohë që kryebashkiaku, Dako, firmos lejen për shtëse katesh, ai firmos edhe raportin e inspektorëve të ndërtimit që punimet e pallatit të mbaheshin të pezulluar për shkak të shkeljeve. Ky është gabimi thelbësor i ish-kryebashkiakut mbi të cilin prokuroria krijoi bindjen se ai ka qenë në dijeni të situatës.
“Kjo bën që të arrihet në konkulzion se të gjitha dokumentet e sipërcituara janë të falsifikuara, duke vërtetuar katërcipërisht qëllimin kriminal, pajisjen me dokumentacion tekniko ligjor të jë objekti ndërtuar jo vetëm pa u zbardhur leja e ndërtimit, por edhe pa respektuar kushtet e parashikuara në projektin e paraqitur”, citohet në dosjen hetimore.
“Rasti Vangjush Dakos është i ngjashëm me raste të tjera të SPAK që s’merret me probleme të rëndësishme madhore, por mjaftohet me raste që në vetvete dhe qytetarët nuk tregojnë peshën e lartë të ngjarjeve apo korrupsionit që zhvillohet në Shqipëri”, u shpreh avokati Redi Ramaj.
Top Channel