Dy ushtarakë të vrarë dhe tre të plagosur nga rekruti i ri në bazën japoneze (fotot)

14/06/2023 16:58

Një i dyshuar 18-vjeçar ka hapur zjarr ndaj kolegëve të tij gjatë një stërvitjeje me arme zjarri në një bazë ushtarake në Japoni, duke lënë tragjikisht dy të vrarë e tre të plagosur, përfshirë dhe një ushtar 25-vjecar.

I dyshuari hapi zjarr ndaj të tjerëve në poligonin Hino Kihon tha policia vendase.

Forcat e mbrojtjes tokësore të Japonisë konfirmonin sulmin e pashpjeguar duke thënë se dy nga të plagosurit kishin humbur jetën në spital.

Sulmuesi ishte bashkuar me forcat ushtarake në prill, njoftonte për gazetarët drejtuesi ushtarak Yasunori Morishita, duke shtuar se ishte ndaluar shpjet nga ushtarakë të tjerë.

“Gjatë një stërvitjeje me zjarr për trajnimin e personelit të ri, rekruti qëlloi disa ushtarakë të tjerë të forcave tokësore”, tha ushtria në deklaratë.

“Ky lloj incidenti është i papranueshëm për një organizatë që merret me armë zjarri dhe ne e marrin shumë seriozisht”.

Burime të policisë japoneze thanë për rrjetin AFP se i dyshuari “qëlloi armën ndaj viktimave me qëllim për të vrarë”.

Në pamje ajrore të transmetuara shiheshin ushtarakë e civilë të mbledhur rreth një mjeti të emergjencës teksa policia bllokonte rrugët pranë vendngjarjes.

Rrjeti vendas NHK raprotonte se viktimat ishin një burrë në të pesëdhjetat dhe dy të rinj në të njëzetat, por identitetet e të ndjerëve nuk janë publikuar zyrtarisht.

Japonia njihet për ligjet strikte të armëve të zjarrit dhe krime të tilla janë të rralla.

Por një seri incidentesh kanë ndodhur kohët e fundit që kanë shtuar shqetësimin mbi përdorimin e armatimeve.

Kryeministri Fumio Kishida u sulmua me një bombë artizanale gjatë një eventi fushate në prill, ndërsa ish-kryeministri Shinzo Abe u vra në një atentat në 2022 nga një sulmues misterioz me një armë artizanale.

Ndërsa muajin e kaluar një burrë u arrestua pasi qëlloi për vdekje dy oficerë policie në prefekturën e Nagano.

FOTO GALERI
1/3
Forcat e mbrojtjes tokësore të Japonisë konfirmonin sulmin e pashpjeguar duke thënë se dy nga të plagosurit kishin humbur jetën në spital.

Top Channel