Nga Monza dhe Milan te Ancelotti, reagimet për ndarjen nga jeta të Berlusconit

12/06/2023 13:09

Ish-presidenti legjendar i Milanit dhe së fundmi President i Monzas, Silvio Berlusconi u nda nga jeta, këtë të hënë, në moshën 86-vjeçare.

Të shumta janë reagimet për këtë humbje të madhe të botës së futbollit në Itali.

Një nga partnerët kryesorë të Berlusconit në futboll, Adriano Galliani ka shprehur ngushëllimet në emër të tij dhe të klubit të Monzas.

“Adriano Galliani dhe gjithë AC Monza vajtojnë humbjen e Silvio Berlusconit. Një boshllëk që nuk mund të mbushet kurrë, përgjithmonë me ne. Faleminderit për gjithçka President”-shkruan Galliani.

Ndërsa e Milan e cilësojnë si të paharrueshëm ish-presidentin e tyre: “Nesër do të ëndërrojmë për gola të tjera, do të shpikim sfida të tjera, do të kërkojmë fitore të tjera. Se ia vlen të kuptojnë se çfarë është e mirë, e fortë dhe e vërtetë tek ne, tek të gjithë ne që kemi pasur këtë aventurë të ndërthurjes së jetës sonë me një ëndërr të quajtur Milano. Faleminderit President, përgjithmonë me ne.”

Ndërkohë trajneri i Italisë, Roberto Mancini shprehet: “Ka keqardhje të madhe, Berlusconi ishte një njeri i jashtëzakonshëm për sportin dhe politikën. Sot është një ditë shumë e trishtuar. Një kujtim personal? Ka shumë, mendoj në një derbi kur fituam dhe ai hyri në dhomat e zhveshjes për të na komplimentuar. Ai ishte shumë sportiv. E gjithë karriera ime ka qenë e lidhur me Berlusconin, presidentin e Milanit. Është një ditë e vështirë dhe e trishtuar.”

Ancelotti nga ana tjetër e quajti këtë ditë shumë të trishtë.

“Trishtimi i sotëm nuk i fshin momentet e lumtura të kaluara së bashku. Mbetet një mirënjohje e pafund për presidentin, por mbi të gjitha për një njeri ironik, besnik, inteligjent, i sinqertë, themelor në aventurën time si futbollist në fillim, e më pas si trajner. Faleminderit President”-shkruan trajneri i Real Madrid./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA