Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi u konsideruan si shpëtim nga kriza e gjatë politike.
Megjithatë, ekspertë të ndryshëm pyesin tani rezultati i tyre do të sjellë vërtet fundin e krizës. Lëvizja Eropa Tani u rendit në krye, megjithatë asnjë parti e koalicion nuk fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur i vetëm.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore kërkimore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, mendon se qëndrimi i këtij vendi në rrugën europiane do të varet nga disa faktorë.
“Millo Gjukanovic qëndroi në pushtet për gati tre dekada, dhe natyrshëm, populli kërkonte diçka të re”, u shpreh ajo për REL, duke shtuar sidoqoftë se ajo që mund të sjellë Lëvizja Europa Tani, mbetet për t’u parë.
Është shumë herët të flitet për këtë, sidomos duke pasur parasysh përplasjet që ekzistojnë brenda vetë kësaj lëvizjeje e sidomos liderëve te saj: Jakov Millatovic dhe Millojko Spajic, shprehet ajo.
Në këtë moment, shtrohet edhe pyetja se ku do të jenë DPS-ja dhe URA në atë formulë qeveritare, aq më tepër që Spajic e ka bërë të qartë se nuk dëshiron koalicion me to. Nga ana tjetër, strukturat pro-serbe dhe pro-ruse nga ish-Fronti Demokratik nuk e kanë mbështetjen e Perëndimit.
Ekspertja beson gjithashtu se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç i vjen për shtat një Mal i Zi i paqëndrueshëm, situatën e të cilit të mund ta përshkallëzojë përmes Kishës Ortodokse Serbe. Si asnjëherë më parë këtë radhë, në parlamentin e Malit të Zi do të jenë edhe 6 shqiptarë. 3 prej tyre duke përfaqësuar direkt shqiptarët dhe interesat e tyre përmes partive nacionale.
Pas përfundimit të procesit të numërimit, 2 mandate deputetësh siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt dhe 1 vend e mori koalicioni “Aleanca Shqiptare”. Tre deputetët e tjerë shqiptarë përfaqësojnë listat e koalicioneve të përziera. Dy prej tyre, Mehmet Zenka dhe Drita Llolla, dolën deputetë nga lista e koalicionit të Gjukanovic. Deputeti tjetër shqiptar është ish-kryeministri Dritan Abazovic nga partia URA.
Top Channel