Kosova feston Ditën e Çlirimit, Begaj: Nderim heronjve të UÇK-së dhe mirënjohje partnerëve strategjikë

12/06/2023 10:46

Presidenti Bajram Begaj, ka uruar 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në një postim në Facebook.

Ai shpreh nderimet dhe mirënjohjet për heronjtë e UÇK-së dhe i partnerëve strategjikë, SHBA dhe NATO.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO!”, ka shkruar Begaj në Facebook.

24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Top Channel