Ekspertët thonë se nëse kjo ka ndodhur do të ishte humbja më e rëndë e të dhënave në vend, duke përfshirë të paktën 1.1 miliardë njerëz.
India përpiqej sot të zbuste frikat për një skandal masiv të shpërndarjes së të dhënave personale për qindra milionë qytetarë që ishin regjistruar në portalin shtetëror të vaksinave Covid-19, pas raportimeve se një entitet në rrjetin Telegram po shpërndante informacionin.
Administratorët e burimit të shpërndarjes thonin se kishin akses në portalin zyrtar qeveritar të vaksinave të quajtur CoWin, të nisur nga qeveria e kryeministrit Narendra Modi në janar 2021, ku janë regjistruar më shumë se 1 miliardë njerëz.
Agjenci të shumta lajmesh tregonin se të dhënat sensitive të personave të ndryshëm si numër celulari, numër pasaporte, datë lindjeve dhe numri personal i identifikimit jepeshin në llogarinë e Telegram nëse përdoruesi fuste numrin e telefonit të regjistruar në rrjetin CoWin.
Fillimisht raportohej se faqja tregonte dhe informacione personale shëndetësore si koha e marrjes së vaksinës, por pas testimeve të rrjetit britanik The Independent, nuk rezultoi kështu.
Rajeev Chandrasekhar, ministër i elektronikës dhe teknologjisë tha se grupet e emergjencës kishin vepruar për raportimet e daljes së informacioneve por nuk kishte vjedhje të të dhënave.
Ai konfirmonte se po shpërndaheshin të dhëna private por sugjeronte se ato vinin nga një dalje e mëparshme informacioni dhe nuk kishte të bënte me CoWin.
“Të dhënat duket se janë mbushur me ato të vjedhura në të kaluarën, nuk ka depërtim aktual në rrjetin Cowin dhe politikat e sigurisë janë aplikuar në të dhënat qeveritare,” tha Chandrasekhar.
Rrjeti qeveritar shkruan se India ka shpërndarë 2.2 miliardë v-aksina Covid por vetëm 5.2 milion janë administruar me sistemin online CoWin. Aty shtohet se 1.1 miliardë njerëz në Indi kanë marrë injeksionin, por nuk thuhet sesa njerëz janë regjistruar ‘offline’.
Top Channel