Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, prej javësh në shënjestrën e disa protestave masive në Beograd, nuk është dukur asnjëherë më parë kaq i humbur sesa kur u shfaq në një video zyrtare këtë javë në tarracën e madhe të zyrës së tij presidenciale.

Ai shihet duke ndarë një tas të mbushur e qershi me dy togerë, duke u ankuar për protestuesit në rrugë të cilët i quante  “budallenj të çmendur, vrasës dhe kriminelë”. Fyerjet e tepruara, një tipar i rregullt i tabloideve Rottweiler besnikë ndaj Vuçiçit, dikur i drejtoheshin kryesisht armiqve të presidentit, të paktën në publik.

Por, pas disa javësh protestash nëpër rrugë, të nisura pas dy vrasjeve masive muajin e kaluar, ai duket se po lëkundet, thotë New Yorkt Times, e po kalon në pozita të tilla mbrojtëse të cilat nuk ishin parë që nga viti 2012 kur u kthye në shtyllën  kryesore rreth së cilës rrotullohet politika serbe.

New York Times thotë se protestat, me thirrjet për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të zbatimit të ligjit dhe heqjen e licencave të transmetimit nga dy stacione televizive pro-qeveritare, janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër “klimës së dhunës” për të cilën fajësohet Vuçiçi.

Kjo nuk do të sjellë rënien e tij, sepse liderët si Vuçiç kanë teknika shumë të fuqishme mbijetese, pohoi për gazetën e njohur Vuk Vuksanovic nga Qendra për Politikat e Sigurisë në Beograd, një institut i pavarur kërkimor.

“Por, ka padyshim është një plagë e hapur për presidentin dhe peshkaqenët po bëjnë xhiro në ujë”, shton ai.

Top Channel