Prizreni ka shënuar 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku mblodhi bashkë krerët institucionalë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Mesazhi kryesor i nxjerrë nga udhëheqësit shqiptarë qe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Përkundër kësaj, një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë në përpjekje për zgjidhjen e situatës në veri nuk ishte në interesin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për t’u komentuar.

Gjatë gjithë ceremonisë i njëjti iu shmang pyetjeve të gazetarëve.

Në anën tjetër, ishte Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ai i cili tha se kryeministri i Shqipërisë ka gabuar me këtë propozim dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka interes ta shoh.

 “Nuk kemi interes me e pa sepse kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen nuk e kam parë. Në parim mendoj që është gabim, pavarësisht përmbajtjes. Është një defekt parimor sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u  ulë me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaru të gjitha këto probleme së bashku”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ceremonia e shënimit të 145 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u përcoll me aktivitete të shumta. Ekspozita me motive kombëtare u hap në nder të këtij përvjetori i cili edhe një herë e mbushi plot Prizrenin.

Top Channel