Forcat politike në Greqi vazhdojnë “betejën” parazgjedhore 15 ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit , me epiqendër kësaj here programet ekonomike dhe politikat tatimore.

Kyriakos Mitsotakis, kreu i Demokracisë së Re që përqendroi 40,1% të votave në zgjedhjet e 21 majit pa mundur të sigurojë shumicë parlamentare dhe të qeverisë,  ka ritheksuar rëndësinë e veçantë, të investimeve ekonomike të cilat do sjellin ulje të papunësisë , paga të larta , mbështetje financiare për sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

“Ne thamë se do të reduktojmë taksat dhe i kemi reduktuar ato, ashtu siç premtuam para zgjedhjeve. Ky reduktim i taksave u shoqërua, me një shpërthim investimesh, i cili ka lejuar që vendi të ketë ritme zhvillimi shumë më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian.”- tha Kyriakos Mitsotakis Lideri i Demokracisës së Re.

Nga ana e tij lideri i Syrizës Aleksis Tsipras që ka prezantuar të vërtetat, siç i ka quajtur ,  për programin e “fshehur” ekonomik të Demokracisës së Re në një konferencë shtypi në Zappeio, i ka cilësuar premtimet  e konservatorëve të rreme, pasi mbështeten në një hapësirë minimale fiskale që nuk lejon masën e rritjes të të ardhurave në programin e tyre.

“I vetmi vend evropian që pati një ulje të pagës nominale nga viti 2019 në 2022 ishte Greqia dhe një nga tre vendet e vetme, në 2022-2023, që gjithashtu pati një ulje reale të pagës mesatare. Dhe ndërsa kanë bërë të gjitha këto për katër vjet, bëjnë tashmë një premtim të rremë për 2027 se do ta rrisin pagën në 1500 euro.”- tha Aleksis Tsipras Lideri i Syriza-s.

Ditët e fundit në axhendën e replikave politike të dy partive më të mëdha ,por edhe të forcave të tjera , ka hyrë sektori i shëndetësisë, pas disa rasteve vdekjesh të qytetarëve në zona të ndyshme të vendit , që nuk arritën të dërgoheshin në urgjencat spitalore, për mungesë ambulancash apo vonesa të tyre.

Gjithsesi dy sondazhe të orëve të fundit u japin përsëri konservatorëve vendin e parë me gati 20 pikë diferencë nga të Majtët e Syrizës dhe çështja tashmë shtrohet vetëm në faktin në se Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis do të sigurojë shumicën parlamentare, fakt që varet jo vetëm nga përqindja që do të fitojë, por edhe se sa parti do të hyjnë në parlamentin e ri të vendit.

Top Channel