Eksperti amerikan dhe bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, Luke Coffey ka komentuar ngjarjet e fundit të ndodhura në veri të Kosovës.

Teksa ka folur për rëndësinë e Ballkanit për stabilitetin në Evropë, theksoi se tensionet në veri e kanë dobësuar Kosovën, e kanë trimëruar Serbinë, Rusinë e kanë fuqizuar e komunitetin translantik e kanë ndarë.

“Dhuna shpërtheu në Kosovën veriore javën e kaluar midis serbëve etnikë dhe misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Përleshjet lanë trupat e NATO-s të plagosur, Serbia u trimërua, Kosova u dobësua, Rusia u fuqizua dhe komuniteti transatlantik u nda”, ka shkruar Coffey.

Sipas tij, Ballkani vazhdon të mbetet një zonë destabiliteti që politikbërësit nuk duhet ta injorojnë.

“Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Jugosllavisë në shtatë vende të reja, rajoni pësoi një sërë konfliktesh vdekjeprurëse që u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së jashtme ushtarake. Edhe sot situata e sigurisë mbetet e brishtë. Këtë e kujtojnë ngjarjet e fundit në Kosovë”,  shtoi ai.

Coffey ka theksuar se ngjarjet në Kosovë mund të destabilizojnë Ballkanin në një kohë kur situata gjeopolitike në komunitetin transatlantik është tashmë e tensionuar për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Rajoni ka qenë një burim i madh konfliktesh në Evropë për shekuj. Nuk mund të anashkalohet dhe angazhimi konstruktiv ndërkombëtar në Ballkan është kyç për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, ka thënë ai.

Top Channel