Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektiva dhe Perspektiva”, i cili po mbahet në Dubrovnik.

Ai theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e krahasojnë me botën ruse…këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviçin apo Putinin”, tha Kurti sipas N1.

SHBA-ja dhe BE-ja i bënë thirrje Kurtit këtë javë që të largojë kryetarët nga ndërtesat komunale dhe njësitë speciale të policisë që ndihmuan në vendosjen e tyre në komunat veriore.

Kurti tha se Kosovës “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje” ndërsa shtoi semund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” ndalojnë trazirat.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.

Në muajin mars, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila de facto do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë atë.

 “Është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti.

Kurti po merr pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektiva dhe Perspektiva”, e organizuar nga eurodeputeti kroat, Tonin Picula në Dubrovnik.

“Kroacia është një partner dhe aleat lider dhe ne e shohim Kroacinë si një shembull shumë të suksesshëm në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha kryeministri i Kosovës.

Ai tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe tha se iu bashkua dialogut me Serbinë sepse ai “organizohet nga Bashkimi Evropian, i cili lehtëson bisedimet”. 

Top Channel