Zëdhënësi i KFOR-it në Kosovë, koloneli Andrea Gallieni, ka thënë se disa grupe kriminale kanë qenë mbrapa protestave të dhunshme, që janë zhvilluar në Zveçan, më 29 maj.

Gallieni ka thënë se grupet e dhunshme janë organizuar për të sulmuar, dhe se i takon Policisë së Kosovës që t’i identifikojë ato.

Atë ditë protestuesit serbë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, dhe të plagosur ka pasur prej të dyja anëve.

Në një konferencë për media, Gallieni, i ka komentuar të premten ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Kosovës, prej 29 majit.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet hakmarrëse. Sepse, siç e kanë dëshmuar edhe këto ngjarje, gjithçka mund të përshkallëzohet në nivel të madh të dhunës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjitha palët t’i kenë parasysh pasojat dhe rreziqet e veprimeve të tyre”.

Ai ka thënë se të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Njëra palë, për marrjen e vendimeve, pa e marrë parasysh shkallën e sigurisë, dhe pala tjetër të reagojë për veprimet e dhunshme që janë parë në mesin e protestuesve”.

Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, edhe më 9 qershor.

Ata po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Gallieni ka vlerësuar se situata në veri është duke u qetësuar, në aspektin e sigurisë.

“Kur këto ngjarje kanë nisur, do të thotë disa ditë para 29 majit, nuk mund të them se ka pasur koordinim, sepse ka qenë veprim i njëanshëm, i marrë prej institucioneve të Kosovës, për t’i dërguar kryetarët nëpër komuna, përmes përdorimit të forcës. Mirëpo, më vonë, ne jemi organizuar që të angazhohemi paraprakisht nëpër këto komuna, dhe më 29 maj kemi qenë atje, si dhe kemi ndërhyrë mes palëve”.

Zyrtari i KFOR-it, ka thënë se prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë shkuar në Kosovë, për të përforcuar misionin.

Gallieni ka thënë se forcat janë duke u trajnuar dhe do të angazhohen brenda disa ditësh.

Ai ka thënë se përforcimet do të jenë në Kosovë “aq sa të ketë nevojë”.

Komuniteti ndërkombëtar ka dalë së fundi me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë./ REL

Top Channel