Ish-kryeministri Sali Berisha ka rikthyer sërish çështjen “McGonigal” dhe thotë se do të kërkojë sërish hetim parlamentar.
Berisha kërkon krijimin e një komisioni hetimin e veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri.
“Ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari. Deri para 3 javësh, ish-tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, gjykohej për dy çështje kryesore veças. Për çështjen Deripaska dhe lidhjen ruse, për çështjen Rama dhe lidhjen shqiptare. Njëra çështje gjykohej në Nju Jork, çështja tjetër gjykohej në Uashington.
Çështja shqiptare kishte të bënte me ryshfet. Çështja tjetër kishte të bënte me probleme të tjera.
Ryshfet me të cilin Edi Rama kishte angazhuar kryezbuluesin e FBI kundër opozitës, ndërkohë që ishte në detyrë. Natyrisht, Edi Rama ka imunitet diplomatik, por çështja e tij nuk mbyllet kurrë.
Le të aktivizojë ai të gjithë miqtë e tij, me Alex e me George, ai nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane. Por zhvillimi dramatik i para tre javëve është shumë thelbësor. Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, ç’ka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti. Ne do bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë për hetimin e të gjithë personave të lidhur me aferën McGonigal, në Shqipëri dhe jashtë saj, me mundësitë që kemi”, tha Berisha.
Opozita pretendon se janë një sërë faktesh që lidhen me të paktën pesë takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe ish-agjentit të FBI-së Charles McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.
Top Channel