Zjarret nga Kanadaja errësojnë Nju Jorkun, “plasin” teoritë e konspiracionit: Është armë e re energjie

08/06/2023 12:45

Kaq i dendur është tymi i zjarreve nga Kanadaja, sa miliona vetë në Amerikën e Veriut janë këshilluar të mbajnë maska për shkak të cilësisë së dobët të ajrit.

Pesëmbëdhjetë shtete amerikane janë në alarm teksa qindra zjarre në pyjet përgjatë Kanadasë lindore po zhvendosen drejt jugut, duke errësuar qiellin mbi Nju Jork dhe qytete të tjera të mëdha. Nga Vermonti dhe deri në Karolinën e Jugut, si dhe në Ohajo dhe në Kansas, autoritetet paralajmëruan se grimcat e ngritura në atmosferë mund të tejkalojnë nivelet që konsiderohen të pranueshme dhe mund të vështirësojnë frymëmarrjen. Në Nju Jork ka nisur shpërndarja e maskave falas.

“Kjo është një situatë e përkohshme, nuk është për shkak të Colvidit”, garantoi banorët guvernatorja e këtij shteti, Kathy Hochul. Zyrtarët atje presin që kushtet e rrezikshme të ajrit të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Pjesa më e madhe e tymit vjen nga Quebec-u, ku po digjen 150 vatra zjarresh.

Smogu kalon kufirin amerikan nga Kanadaja, ku sezoni i zjarreve në pyjeve pati një fillim të hershëm të pazakontë dhe me një intensitet të lartë, për shkak të kushteve të vazhdueshme të të nxehtit dhe thatësirës. Kanadaja pritet të ketë kështu sezonin më të keq të zjarreve. Qielli mbi Nju Jork dhe shumë qytete të tjera mori një ngjyrë të njëtrajtshme portokalli, ndërsa ajri mban erën e drurit të djegur. Qiellgërvishtësit atje, që në një ditë normale u bënë pothuajse të padukshëm.

Shkollat e qytetit vazhduan mësimin të mërkurën, megjithëse aktivitetet në mjedise të jashtme, përfshirë edhe një ceremoni mature, u anuluan, u shtynë, apo u transferuan në mjedise të brendshme. Në një situatë të tillë, nuk vonuan të shfaqen edhe teori konspiracioni si ato të Stew Peters, i njohur për idetë e tij kontroverse, i cili foli për ndonjë lloj arme energjie që testohet.

“Si ka mundësi që të gjitha zjarret e Quebec-ut ndodhën në të njëjtën kohë? Është statistikisht e pamundur”, ka shkruar ai.

Megjithëse zjarret në pyjet kanadezë janë të zakonshme për provincat perëndimore të vendit, sezonin më të keq të zjarreve po e përjeton këtë radhë provinca lindore Nova Scotia, ku është dislokuar dhe ushtria. Disa nga zjarret u tha se u shkaktuan nga rrufetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA