Të paktën 14 njerëz janë lënduar kur një shkallë elektrike në ngjitje ndryshoi papritur drejtim duke rrëzuar përtokë dhjetra njerëz në një stacion metroje në Korenë e Jugut.
Kamerat e sigurisë regjistruan momentet e rënda në shkallët e stacionit qendror të Sunae në jug të kryeqytetit Seul, shkruan rrjeti vendas The Korea Herald.
Në pamje shihet që shkalla në ngjitje është e mbushur me njerëz kur papritur ndryshon drejtim duke i rrëzuar të gjithë udhëtarët përtokë ose mbi njeri-tjetrin, duke krijuar një pirg njerëzor në fund të shkallëve lëvizëse.
Një person shihet që bie në shkallën paralele i shtyrë nga kaosi.
Policia dhe zjarrfikësit thanë për aksidentin e mëngjesit të së martës se tre nga të plagosurit kishin plagë serioze në kurriz e në këmbë, 11 të tjerë trajtuan për plagosje të lehta.
Nuk dihet ende çfarë e shkaktoi keqfunksionimin e shkallëve dhe zyrtarët e zjarrfikësave thonë se janë duke hetuar.
“Unë fillimisht mendova se ishin duke xhiruar një film katastrofash, kur pashë aq shumë njerëz rreth hyrjes së rrethuar”, tha një rezident 68-vjeçar për rrjetin vendas Korea JoongAng.
Kompania e mirëmbajtjes tha se në inspektimin e përmuajshëm shkallët nuk kishin shfaqur probleme.
Hetimet per aksidentin e pazakonte vijojnë.
Top Channel