Publicisti Veton Surroi shprehet se ulja e tensioneve në veri të Kosovës duhet të bëhet me përpjekjen e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë.
I ftuar në Top Story, Surroi tha se tre planet e propozuara nga Bashkimi Europian, ulja e tensioneve, zgjedhjet e reja dhe futja në dialog, tashmë janë pranuar nga ana e Kosovës.
Sipas tij, sa i takon planit franko-gjerman nuk mund të quhet marrëveshje për sa kohë Vuçiç nuk i pranon të gjitha pikat.
“Thelbi është që BE në këtë rast ka prodhuar një kërkesë prej tre pikash, de-përshkallëzim, zgjedhje dhe kthim ne negociate. Janë pika të përkrahura në Kosovë. Te de-përshkallëzimi do të thotë shtendosja dhe mos të ketë nevojë për polici speciale. Veriu ka qenë problem në aspektin e sigurisë se nuk ka pasur sundim të ligjit. Në këto komuna veriore nuk ka pasur zgjedhje të lira, ka pasur intimidim deri të vrasja e kandidatëve. Si mund të mbash zgjedhje të lira në atë ambient. Kthimi në bisedime, këtu ka hyrë një lloj sporti i kandidimit i opsioneve të ndryshme. Ekziston një propozim franko-gjerman, dhe është pranuar nga Kosova dhe pala kosovare është ofruar për nënshkrim, por është refuzuar nga Serbia. Ajo mbetet e interpretueshme dhe siç tha Vuçiç, unë do të marr ato pika nga kjo marrëveshje dhe nuk do t’i aplikoj për shkaqe të brendshme politike. Nëse ekziston marrëveshja dypalëshe dhe njëra palë thotë un zgjedhje vetëm disa pika, kjo nuk është marrëveshje. Nuk mund ta ketë Kosova marrëveshje me veten. Nuk mund të futemi në një proces serioz negociator.”- tha Veton Surroi në Top Story.
Top Channel