Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak vizitoi Shtëpinë e Bardhë, teksa u prit nga presidenti amerikan Joe Biden.
Pas diskutimeve me njëri-tjetrin në Zyrën Ovale, zhvilluan një konferencë ku zbuluan se SHBA dhe Britania janë partner të rinj ekonomik, që do të rrisë lidhjet e industrisë për mbrojtjen dhe energjinë e rinovueshme, përballë konkurrencës në rritje nga Kina.
“Ne po nxjerrim një plan të ri partneriteti ekonomik. Mund të përmirësojmë bashkëpunimin tonë për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë së pastër që duhet të ndodhë, të udhëheqim zhvillimin e teknologjive në zhvillim që do të formësojnë aq shumë të ardhmen tonë dhe do të mbrojmë teknologjitë kritike për sigurinë tonë kombëtare”, u shpreh Biden.
Ndër të tjera lideri amerikan njoftoi se vendi i tij do të financojë Ukrainën për aq kohë sa të duhet, kryesisht mbështetjen ushtarake.
“Ne po e avancojmë këtë qëllim duke u ofruar atyre mbështetjen që i nevojitet Ukrainës tani në fushën e betejës. Fakti i çështjes është se unë besoj se ne do të kemi fondet e nevojshme për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa duhet. Dhe unë besoj se ajo mbështetje do të jetë e vërtetë”, shtoi më tej ai.
SHBA dhe Britania e Madhe kanë qenë kontribuesit kryesorë të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe po koordinojnë sigurimin e avionëve luftarakë F-16 për të përforcuar parandalimin afatgjatë kundër Rusisë.
Top Channel