Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme me 79 vota pro.

Deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër reformës zgjedhore, ku miratuan edhe 19 amendamente shtesë për këtë projektligj.

Miratimi i këtij projektligji erdhi me procedurë të përshpejtuar, pas miratimit në lexim të parë gjatë së enjtes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur falënderim për përfundimin me sukses të kësaj reforme zgjedhore.

Ai ka thënë se disa nga çështjet që rregullohen me këtë Projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave, mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë më shumë hapësirë për deputete gra.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se në grupin e punës është arritur një përmbledhje nga të gjitha grupet.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se partia e saj e mbështet Projektligjin.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha një mësim që është marrë nga ky proces është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, ato i tejkalojnë interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit demokratik një ligj që e ka konsensusin e plotë.

Top Channel