Kryeministri Edi Rama, që njoftoi se ka propozuar një draft për Asosacionin e  komunave në veri të Kosovës, u shpreh se është i shqetësuar për faktin se kryeministrin e Kosovës, Albn Kurtin, po e fajësojnë ndërkombëtarët.

Kjo situatë më shkakton keqardhje, u shpreh Rama në konferencën për mediat.

“Unë nuk sulmoj Albin Kurtin. Albin Kurtin e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe me mbiemër dhe kjo mua më shkakton vetëm keqardhje sepse nuk shoh pse duhet të ndodhë kështu. Unë nuk jam as për të gjykuar Albin Kurtin dhe aq më pak për të sulmuar Albin Kurtin. Këto janë deduksione të gabuara”.

Sipas kryeministrit të vendit, aleatët duan të mirën e Kosovës.

“E gjitha bota do të mirën e Kosovës, nuk janë vetëm aleatët europiane dhe amerikane. Janë edhe aleatë të tjerë që janë të shqetësuar. Nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë kërkon Kosova më”.

Konferenca e kryeministrit Rama dhe vendimi për të propozuar një draft për Asosacionin për komunat me shumicë serbe, vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.

Pas emërimit të kryetarëve të rinj në Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, qytetarët serbë u ngritën në protesta për të penguar hyrjen e tyre në institucione. Tubimet vazhduan me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të NATO-s. Ndërkombëtarët, nga ana tjetër, fajësojnë kryeministrin Albin Kurti, për tensionet në veri, ku kryetarët u zgjodhën vetëm me votat e shqiptarëve, ndërsa serbët bojkotuan procesin.

Top Channel