Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ankua për njëanshmëri ndaj shtetit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe për tolerancë, ndaj, siç e cilësoi ai, regjimit autoritar të Serbisë.

Në një intervistë për Associated Press, Kurti tha se Qeveria e tij ka marrë një qëndrim ndryshe.

“Ne insistojmë që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bën atë të sillet më mirë. E kundërta”, tha ai.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, “vijnë te ne me kërkesa të palës tjetër”, tha ai.

Escobar dhe Lajçak gjatë kësaj jave zhvilluan një vizitë treditore në Prishtinë dhe Beograd, për të ndihmuar palët që të gjejnë një zgjidhje për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.

Dhuna kulmoi më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë paraqitur tri kërkesa Kosovës: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kurti insistoi se prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës në tri komunat në veri nuk do të zvogëlohet, derisa “bandat kriminale serbe” ose të largohen, ose të arrestohen. Ai tha se në Kosovë do të kishte paqe nëse “nuk do të kishte urdhra për dhunë nga Beogradi”.

Sipas tij, fuqitë perëndimore nuk duhet “ta llastojnë” Beogradin, që sipas tij është problemi kryesor i dhunës në Ballkanin Perëndimor.

Kurti u ankua se edhe për zgjedhjet e prillit në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, “ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, ndërmjetësuesit evropianë dështuan” ta ndihmojnë Kosovën.

Ai tha se ata kërkuan nga Kosova të bënte ndryshime zgjedhore, por nuk i bën presion serbëve që të merrnin pjesë në zgjedhje.

Kryeministri kosovar tha se tani ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për të nxitur pluralizëm politik në veriun e banuar me serbë dhe që atje të ketë “zgjedhje fer, demokratike për kryetarët e rinj të komunave”.

“Ne nuk mund të kemi edhe një proces në të cilin kandidatët serbë bojkotojnë zgjedhjet disa ditë para mbajtjes së tyre, për shkak se kështu urdhëron Beogradi”, tha ai.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri mund të mbahen. Sipas saj, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale mund të bëhet nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë./ REL

Top Channel