Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të dëgjojë këshillat e partnerëve të saj ndërkombëtarë lidhur me situatën në veri të shtetit.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abbott përsëriti qëndrimin e ndërkombëtarëve që Kosova të mos insistojë që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të punojnë nga ndërtesat komunale.

“Ne po vazhdojmë të kërkojmë shtensionim të situatës [në veri]. Ne nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët e komunave të punojnë nga zyrat komunale dhe po ashtu nuk besojmë se ka nevojë që njësitë speciale policore të veprojnë si roje për ndërtesat komunale. Kanë punë shumë më të rëndësishme për të bërë gjetkë. Shpresoj shumë që në ditët në vijim të shohim një ndryshim. Do të shohim propozime, shpresoj që do të shohim më shumë bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë”, tha Abbott sipas REL.

Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe situata është përkeqësuar më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale. Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Komuniteti ndërkombëtar i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ambasadori Abbott u pyet edhe për draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por, ambasadori britanik tha se ende nuk e ka lexuar.

“Kjo është një kohë e vështirë dhe mendoj se duhet të jetë krejtësisht normale që Kosova të dëgjojë këshillat e miqve dhe partnerëve të saj. Shqipëria është një vend që është shumë afër Kosovës. E dimë që në javët e ardhshme do të ketë bisedime ndërqeveritare. Jam i sigurt se do të ketë shumë çështje në tryezë. Këshilla ime për Qeverinë është që t’i dëgjojë të gjitha, të gjejë rrugën e duhur përpara, por të gjejë një rrugë që tregon mirëkuptim për shqetësimet e miqve të saj”, tha ambasadori.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, më herët gjatë 8 qershorit njoftoi se një ditë më parë ua ka përcjellë një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015, palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për parimet për themelimin e Asociacionit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të nisë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme, Kosova vazhdimisht ka refuzuar, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Top Channel