Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.

Kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij “e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë”, thotë Fried.

Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të Kurtit, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në këtë pjesë të vendit, të banuar me shumicë serbe, janë të larta qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Fried, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte shumë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës për situatën e tensionuar në veri të vendit. Ai e kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë bashkëpunimi në uljen e tensioneve. Kurti, në anën tjetër, këmbëngul se nuk mund të bëjë kompromise për “republikën demokratike”. Cili është komenti juaj?

Daniel Fried: Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. Unë kurrë nuk e kam parë administratën e SHBA-së kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, jo në këta 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë.

Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar.

Unë nuk kam dyshim në supozimet e mia. Përndryshe nuk mund ta shpjegoj se përse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar. Unë supozoj se ata i kanë arsyet e tyre. Unë supozoj se arsyet e tyre bazohen në injorimin që u bëri Kurti paralajmërimeve të tyre dhe në të konsideruarit e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë – çfarë ka qenë gabim dhe e habitshme.

Ai [Kurti] e ka bërë presidentin e Serbisë [Aleksandar] Vuçiq të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën]. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se Kurti po shkon shumë larg në rrethanat aktuale…

Daniel Fried: Po, mendoj se ka bërë gabim në gjykime. Ai e definon sovranitetin e Kosovës në atë mënyrë që e bën të ndihet se mund të kërkojë asgjë tjetër, përveç maksimumit. Dhe, duke vepruar kështu, ai e ka bërë situatën e keqe edhe më të keqe.

Radio Evropa e Lirë: Escobar, duke folur për masat kundër Kosovës nëse Kurti nuk është konstruktiv, tha se SHBA-ja “nuk mund të planifikojë asgjë për Kosovën”… Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Daniel Fried: Mendoj se ai po shpreh zhgënjimin e administratës [amerikane] me Kurtin dhe po e bën të qartë se Kurti dhe ekipi i tij e kanë marrë mbështetjen amerikane si të mirëqenë. Ata kanë abuzuar me besimin amerikan në atë mënyrë që do të jetë e vështirë për ta që ta rregullojnë, por më mirë të nisin e ta bëjnë një gjë të tillë.

E përsëris, burimi afatgjatë i problemit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi vjen nga Beogradi, nga revanshizmi serb, ndërsa Kurti ka arritur të grindet me SHBA-në. Grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës në atë mënyrë që unë s’e kuptoj. Unë nuk e di se çfarë ka menduar ai [Kurti].

Radio Evropa e Lirë: Escobari, po ashtu, e ka bërë të qartë se kjo situatë nuk ka të bëjë me popullin e Kosovës, por me një individ, duke aluduar te Kurti. Ku po e dërgon Kurti Kosovën?

Daniel Fried: Do të ishte më mirë që Kurti të ndërmerrte një hap prapa dhe të gjente një mënyrë që do t’i riparonte raportet me SHBA-në. Çdo drejtim tjetër mund të bëhet shumë më i kushtueshëm. Nuk e di se çfarë mbështetjeje ka brenda Kosovës, nëse shihet si ai që i ka thyer marrëdhëniet me SHBA-në, e cila, para së gjithash, ishte e para në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe sigurisë në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Shumë në Kosovë pyeten se pse vetëm Kosova ndëshkohet, jo Serbia…

Daniel Fried: Kjo ka të bëjë, sipas të gjitha gjasave, me besimin e keq në Qeverinë e Kosovës. E thashë, burimi themelor i problemit është në Beograd. Që Shtetet e Bashkuara të jenë aq të zemëruara me Qeverinë e Kosovës, këtu duhet të ketë ndodhur një akt i keqbesimit. Nuk e di me siguri, por është supozimi im.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta vlerësonit qasjen e administratës amerikane ndaj Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Fried: Mendoj se para këtij shpërthimit të fundit, SHBA-ja e konsideronte problemin në Beograd dhe besonte se kosovarët, gradualisht, mund të dilnin në një gjendje relativisht të mirë. Por, asaj i duhet një partner në Kosovë për ta ndihmuar në stabilizimin e veriut. Mendoj se administrata amerikane ndjen se nuk e ka atë partner tani.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se situata në veri mund të ketë një ndikim më të gjerë në rajon?

Daniel Fried: Sigurisht. Nuk ka asgjë të mirë që del prej kësaj. Do të ishte keq nëse çon në një konflikt të hapur, mendoj në përshkallëzim të tensioneve ose përshkallëzim të luftimeve dhe vdekje. Mendoj se Kurti duhet të veprojë shpejt për të vendosur së paku një marrëdhënie pune me administratën amerikane. Njerëzit bëjnë gabime. Këshilla ime do të ishte që t’i rregullojë ato, por nuk e di nëse jemi ende në atë pikë.

Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

Radio Evropa e Lirë: Sa përfiton aleatja e Serbisë, Rusia, nga kjo situatë?

Daniel Fried: Shumë. Ky është një lajm i mirë, i mirëpritur për Kremlinin dhe [ministrin e Jashtëm rus, Sergei] Lavrov. Atyre u pëlqen t’i shohin Shtetet e Bashkuara duke u grindur me Kosovën. Do të jenë opurtunistë dhe do ta shfrytëzojnë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do t’i sugjeronit Kurtit të bënte?

Daniel Fried: Të gjejë një mënyrë për të biseduar me Shtetet e Bashkuara pa zhurmë dhe të gjejë një mënyrë për t’u larguar nga ky konfrontim./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA