Trajneri i Man. City-t, Pep Guardiola, këtë të martë kujtoi humbjen (0-1) në finalen e Champions League kundër Chelsea, në “Estádio do Dragão”, për të theksuar magjinë e ditëve para finales së kompeticionit.
Të shtunën, në Stamboll (Turqi), kampionët e Premier League-s do të luajnë kundër Interit.
“Jemi kthyer atje ku ishim dy vjet më parë. E rëndësishme është të jesh atje pas disa vitesh. Kjo është ajo që e bën një klub një klub të madh. Këtu mësova se emocioni i tepërt nuk është për ne. Do të shkojmë në Stamboll për të bërë realitet një ëndërr dhe do të përpiqemi të bëjmë një lojë të mirë”, nënvizoi trajneri katalanas, i cili ende nuk e ka kapërdirë mirë humbjen ndaj “bluve” londinezë në vitin 2021.
“Ne patëm mundësinë dy vjet më parë, nuk ia dolëm. Këtë vit do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Si trajner, kam arritur në dhjetë gjysmëfinale të Championsit dhe kam në tri finale, duke fituar dy me Barcelonën. Jam në finalen time të katërt si trajner. Championsi më ka dhënë më shumë sesa mund ta imagjinoja.
Futbolli jep dhe merr. Jeta është plot me padrejtësi, por gjithçka që është e padrejtë për mua është e drejtë për Atléticon e Madridit, për Realin dhe gjithashtu për Barcelonën. Kështu shkon Bota. Ne duam gjithmonë e më shumë… dhe kjo është e gabuar. Duhet të jesh ambicioz… por jo lakmitar!”
Katalanasi e ka të qartë se të bëhesh një klub i madh në Evropë duhet patjetër të fitosh kupën me veshë të mëdhenj.
“Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide sepse nuk arritën ta fitonin Championsin. Të tjerët u bënë klube të mëdha sepse ia dolën. Edhe nëse nuk mendoj kështu, e kuptoj se gjithçka që kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve do të ketë kuptim për të tjerët vetëm nëse fitojmë. Nëse nuk fitojmë, gjërat do të duket se do të kenë më pak kuptim: do të jetë pak e padrejtë, por duhet ta pranojmë. Ne gjithashtu duhet të pranojmë se, nëse duam të bëjmë një hap përfundimtar dhe të jemi një klub i madh, duhet të fitojmë në Evropë. Duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve”, tha Pep.
Top Channel