Diga e dëmtuar në Ukrainë vë në rrezik centralin bërthamor në Zaporizhia

07/06/2023 16:35

Zyrtarët ukrainas janë vendosur në gatishmëri të lartë pas shkatërrimit të hidrocentralit në Kakhovka dhe thonë se përmbytja nga rezervuari i dëmtuar po rrezikon edhe centralin bërthamor të Zaporizhias.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, centrali bërthamor, i pushtuar nga forcat ruse, përdor ujin e rezervuarit të Kakhovkas për të ftohur reaktorët.

Diga e hidrocentralit në Kakhovaka shpërtheu dhe u rrëzua pjesërisht, duke shkaktuar zbrazjen e ujit nga rezervuari që përdoret për të ftohur centralin bërthamor të Zaporizhias.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Rafael Mariano Grossi, tha se dëmtimi nuk përbënte rrezik të menjëhershëm për centralin bërthamor, por se situata vazhdon të jetë shumë e paparashikueshme.

“Personeli i agjencisë në objekt janë informuar se dëmi ndaj digës Nova Kakhovaka po sjell aktualisht rreth 5 cm rënie në orë të rezervuarit”, tha zoti Grossi.

Mark Zhelezniak është profesor në Institutin e Radioaktivitetit Mjedisor, në Universitetin e Fukushimas.

“Rrjedhja e ujit ka ulur nivelin e përgjithshëm të rezervuarit. Dhamë vlerësimin për rrezikun e mundshëm, që e përllogaritëm për disa ditë në vazhdim, në varësi të çarjes së digës. Niveli i ujit në rezervuarin Kakhovka do të jetë kaq i ulët sa do të shterojë uji që përdoret për ftohjen e reaktorëve”, tha zoti Zhelezniak.

Megjithatë, që kur u fikën reaktorët e Zaporizhias, zoti Zhelezniak i tha Zërit të Amerikës, se nuk ka rrezik të menjëhershëm për centralin bërthamor.

Por, centralit sidoqoftë i duhet një mekanizëm ftohës.

Ka gjithashtu shqetësime se si po menaxhohet centrali që u pushtua nga forcat ruse mbi një vit më parë. Petro Kotin, drejtuesi i Energoatom, agjencisë ukrainase që menaxhonte centralin bërthamor përpara marrjes nga forcat ruse, thotë se tashmë të gjitha vendimet e menaxhimit merren nga ushtarët rusë.

“Pati rrahje të personelit. Disa anëtarë të stafit i kapën dhe i futën në kafazë. Pati tortura nga të gjitha llojet atje. Disa u vranë, disa u zhdukën dhe nuk dimë se ku ndodhen”, thotë zoti Kotin.

Një punonjës i centralit, që do ta quajmë “Valentyn” për të ruajtur anonimitetin e tij, foli me Zërin e Amerikës nëpërmjet telefonit. Ai thotë se rreziku më i madh është se forcat ruse kanë gërmuar aty llogore, kanë sjellë paisje ushtarake dhe po e përdorin centralin si pikë mbrojtjeje, duke shtuar rrezikun e një katastrofe.

Ekspertët paralajmërojnë se centrali po ftohet aktualisht vetëm nga motorë me naftë, të cilët mund të goditen nga bombardimet, dhe pasojat katastrofike mund të shtrihen në të gjithë Evropën dhe Mesdheun. Zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore po monitorojnë ndërkaq zhvillimet dhe po planifikojnë një vizitë tjetër në Zaporizhia në mesin e qershorit./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA