Dhuna e mbështetësve të Bashës mbi gazetarët dhe deputetët/ Berisha: Skenar i Edi Ramës

07/06/2023 14:00

Kreu i Rithemelimit Sali Berisha ka dënuar ashpër dhunën e mbështetësve të Bashës mbi gazetarët dhe deputetët gjatë mbledhjes maratonë të Kryesisë.

Përmes një deklarate për shtyp, Berisha tha se përballja e gazetarëve dhe deputetëve me sharje dhe kërcënime rrugeçërish është akt i turpshëm që “ka në origjinë skenarët e Edi Ramës”.

“Para se ta mbyll dënoj me forcën më të madhe, gangsterët që kanë kërcënuar gazetarët, të cilët kanë ndjekur gjithë natën një takim, ku ka patur deputetë dhe deputete.

Në vend që të falënderohen për sakrificën e tyre, gazetarët janë përballur me sharje, me kërcënime rrugeçërish, për fajin e vetëm se po bënin me sakrifica të vërteta, detyrën e tyre.

Nuk jam unë që u sugjeroj atyre se cilin lajm duhet të ndjekin apo jo, por ata në asnjë rrethanë nuk mund të fyheshin apo të kërcënoheshin.

Ata që mendojnë se do mbyllin problemet duke fyer dhe kërcënuar gazetarët, janë gangsterë, janë rrugeçërish, nuk kanë asgjë të përbashkët me individë të civilizuar.

Po kështu dënoj fyerjet dhe kërcënimet që u janë bërë deputetëve të Kuvendit, akte këto të një politikë dhune, të turpshme që ka në origjinë skenarët e Edi Ramës”- tha Berisha.

Top Channel