Dhoma luksi, qendra trupore dhe diskoteka, presin emigrantët e gomoneve në ‘kroçerat’ e Liverpool (fotot)

07/06/2023 16:14

Emigrantët që vijnë me gomone nga ngushtica me Francën do të vendosen tashmë në krocerat e porteve të Liverpool, me staf të plotë dhe me dhoma luksi, sipas planeve të reja të kryeministrit Sunak, që thotë se po përpiqet t’i bëjë ballë krizës, por ende nuk ka reduktime të shifrave të të ardhurve ilegale në Britani.

Ministria e brendshme tha se do të strehojë 1000 të ardhur të rinj me gomone në dy kroçera të porteve të Liverpool, por emrat dhe vendndodhjet e tyre janë mbajtur sekret.

Më parë anija shtetërore Victoria është përdorur për strehimin e përkohshëm të refugjatëve ukrainas në Skoci, por kjo pritet të jetë hera e pare që emigrantët do të vendosen në krocera luksi.

Ndërkohë MS Victoria është e ankoruar në Edinburgh, dhe raportohet se mund të lirohet muajin tjetër.

Në të thuhet se ka një kinema, skenë teatrale dhe dhoma luksi.

Vendndodhje të tjera si Newcastle, Felixstowe dhe portet e Londrës lindore po merren në konsideratë  si vende të mundshme akomodimi për refugjatët e rinj, raportonte e përditshmja  vendase Guardian.

Në një fjalim në portin e Dover të hënën, Sunak tha: “Për të reduktuar presionin ndaj komuniteteve, do të strehojmë të ardhurit në anije”.

“Në dy javët që vijnë nisin mbërritjet në Portland dhe dy anije që kemi siguruar sot do të akomodojnë dhe 1,000 të tjerë”.

Mediat raportonin gjithashtu se marina franceze ka shtuar interceptimet e gomoneve të refugjatëve në krahasim me vitin e kaluar, por në disa raste ata trembeshin të ndërhynin prej sulmeve të emigrantëve që duan të mbërrijnë në Britani.

6 milionë paundë në ditë po i kushton qeverisë dhe taksapaguesve britanikë strehimi i emigrantëve në hotele ndërsa vijon retorika e paefektshme e zyrtarëve të qeverisë që thonë se po përpiqen të reduktojnë numrat e të ardhurve.

FOTO GALERI
1/5
Emigrantët që vijnë me gomone nga ngushtica me Francën do të vendosen tashmë në krocerat e porteve të Liverpool

Top Channel