Piloti i avionit të rrëzuar në Virginia kishte humbur ndjenjat në kabinë, thonë mediat (fotot)

06/06/2023 16:50

Piloti i një avioni privat që u ndoq nga gjuajtës ushtarakë para se të përplasej në Virginia, ishte parë me kokën e varur në kabinë, raportonin sot mediat amerikane.

Avionët e sigurisë ushtarake kishin pikasur pilotin pa ndjenja pasi iu afruan avionit, thanë zyrtarët për mediat vendase duke përfshirë Washington Post e CNN.

Si piloti dhe tre pasagjerët e tij u vranë në përplasjen tragjike të së dielës.

Avioni i tipit Cessna Citation kishte kaluar mbi Washington DC para se të binte në Virginia.

Avioni vinte nga Tennessee dhe ishte kthyer prapa para se të hynte në New York.

Por hapësira ajrore mbi kryeqytetin amerikan është e ndaluar për fluturim dhe kjo bëri që avionët F-16 të ngriheshin për të interceptuar mjetin fluturues duke lëshuar një forcë madhore zanore në qytet, prej shpejtësisë supersonike.

Piloti i avionit të vogël nuk ishte dëgjuar në radio prej dy orësh dhe kishte fluturuar deri sa iu mbarua karburanti për t’u rrëzuar më pas në një zonë pyjore malore pranë Montebello në Virginia.

Nuk është e qartë arsyeja përse piloti humbi ndjenjat.

Zyrtarët ushtarakë thanë se avioni nuk u qëllua nga ushtria dhe se mjetet e tyre nuk shkaktuan përplasjen.

Hetuesit që po kërkojnë në terren thanë se rrënoja e avionit është tepër e copëtuar dhe se operacioni do të kërkojë disa ditë për të përfunduar.

Katër njerëzit që humbën jetën nuk janë identifikuar por një dëshmitar tha se në avion ishin anëtarë të familjes së tij.

75 vjeçari John Rumpel, i cili drejton biznesin në Florida që zotëron avionin tha se bija e tij, mbesa dy-vjeçare dhe dadoja ishin në avion bashkë me pilotin.

“Avioni po binte me shpejtësi rreth 7000 metra në minutë, askush nuk mund të shpëtonte në atë shpejtësi,” tha Rumpel, i cili është gjithashtu pilot, duke shtuar që shpresonte që të afërmit e tij të mos kishin vuajtur.

FOTO GALERI
1/5
Viktimat e identifikuara me pas Adina Azarian (majtas) e bija dy-vjecare dhe dado Evadnie Smith (djathtas)

Top Channel