Parlamenti i Bullgarisë miraton qeverinë pro-evropiane duke i dhënë fund ngërçit (fotot)

06/06/2023 19:15

Deputetët në Bullgari kanë aprovuar sot një qeveri të re pro-evropiane nga koalicioni i partisë “Vijojme Ndryshimin” dhe qendra e djathtë GERB duke i dhënë fund ngërçit dy-vjeçar të shënuar nga disa zgjedhje.

Kabineti teknik u zgjodh nga parlamenti me 240-vende duke siguruar një maxhorancë prej 132 votash për qeverinë dy partiake, me rotacion kryeministrash.

Ish-ministri i arsimit Nikolay Denkov do të qeverisë si kryeministër për nëntë muaj para se t’i lërë vendin ish-komisioneres së BE, Mariya Gabriel.

Në maj Gabriel u ngarkua nga partia GERB për të drejtuar negociatat për ndarjen e pushtetit mes dy partive të koalicionit që tashmë do të funksionojë me rotacion.

Gabriel dha dorëheqjen nga posti në Bruksel vetëm disa javë më parë dhe fillimisht do të jetë ministre e jashtme, para se të marrë kryeminsitrinë në mars 2024 nga Denkov.

Bullgaria nuk ka pasur kurrë kryeministri me rotacion por ky kompromis ishte opsioni i vetëm për formimin e qeverisë.

Prioritetet e qeverisë së re pritet të jenë ‘reforma në drejtësi’,  kalimi i buxhetit, plotësimi i kritereve për të hyrë në eurozonë.

Sofjes pritet t’i kërkohet gjithashtu njësim me qëndrimin evropian për luftën në Ukrainë teksa gjatë qeverisjes së Rumen Radev, vendi refuzonte dërgimin e ndihmës ushtarake për Kievin.

FOTO GALERI
1/3
Forca te shumta sigurie rrethonin parlamentin mes protestave per kostot e jeteses

Top Channel