Guvernator i djathtë i Lazio-s anullon lejen e paradës së homoseksualëve në Romë (fotot)

06/06/2023 18:49
Francesco Rocca, kreu i Lazio-s, i partisë Fratelli d’Italia

Guvernatori i djathtë i rajonit qendror italian Lazio ku përfshihet dhe kryeqyteti Romë, është vënë nën kritika pas tërheqjes së mbështetjes së administratës së tij për paradën e homoseksualëve në Romë, duke thënë se nuk dëshiron që emri i tij të lidhet me evente që “kanë si qëllim të promovojnë sjellje ilegale”.

Lazio qeveriset nga e djathta italiane prej marsit dhe kishte planifikuar të mbështeste eventin  LGBTQ+ të shtunën, por është tërhequr kur organizatorët e paradës thanë se ‘qeveria rajonale kërkon të distancohet nga planet e qeverisë qendrore për ndalimin e adoptimeve dhe lindjeve surrogate’ të çifteve homoseksuale.

Francesco Rocca, kreu i Lazio-s, i partisë Fratelli d’Italia në pushtet tha se rajoni është i përkushtuar ndaj të drejtave civile dhe nuk dëshiron të lidhet me “evente që promovojnë sjellje ilegale, duke iu referuar lindjeve surrogate me pagesë për çiftet e të njëjtit seks, që shpesh kanë rezultuar ne marrëdhënie abuzive për fëmijët”.

Të drejtat LGBTQ+ dhe veçanërisht lindjet surrogate (nga ‘nëna’ të paguara që mbajnë fëmijën 9 muaj në bark për t’ua dhënë më pas çiftit) , kanë qenë një temë delikate e administratës Meloni që prej ardhjes në pushtet në tetor.

Javën e shkuar është aprovuar teksti ligjor që që kriminalizon italianët që kryejnë lindje surrogate jashtë vendit, që nga shumë zyrtarë të partisë në pushtet është përshkruar “krim më i rëndë se pedofilia”, shkruan britanikja The Guardian.

Mario Colamarino, zëdhënës i paradës ‘gay’ në Romë tha se Rocca kishte ndryshuar mendim pas presionit të grupit katolik ProVita, kur ata akuzonin administratën lokale të Lazio për “skizofreni” prej mbështetjes ndaj eventit homoseksual.

ProVita vlerësoi kthesën e Rocca duke thënë se do te vijonte të monitoronte që administrata e rajonit të mos kthehej në “vegël të ideologjisë gjinore apo LGBT”.

Matteo Salvini, i partisë së djathtë Liga, aleat në qeverinë Meloni, gjithashtu mirëpriti lëvizjen duke shkruar në rrjetet sociale: “Të mbështesësh propagandën për mitra me qera? Jo, faleminderit”.

Vendimi është pritur me kritika nga të majtët liberalë italianë ‘Partito Democratico’ që kishin drejtuar Lazio për një dekadë, para se të humbisnin para dy muajsh.

Riçardo Magi, sekretar i partisë së vogël të majtë ‘Più Europa’, tha se me lëvizjen partia në pushtet kërkon të “promovojë homofobinë”.

FOTO GALERI
1/3
ProVita vlerësoi kthesën e Rocca duke thënë se do te vijonte të monitoronte që administrata e rajonit të mos kthehej në “vegël të ideologjisë gjinore apo LGBT”.

Top Channel