PD, zgjedhje të reja/ Pas humbjes në zgjedhje kërkon të riorganizohet

05/06/2023 19:38

Gazment Bardhi kryetar i grupit parlamentar të PD, shpalosi përpara grupit parlamentar platformën me pesë pika, të cilën e quajti emergjente për riorganizimin e PD pas humbjes së radhës në zgjedhjet lokale.

Fokusi kësaj platforme është riorganizimi brendshëm ku si kryefjalë është përbashkimi demokratëve. Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës e më pas të Enkelejd Alibeajt, Gazment Bardhi propozon fillimisht certifikimin e anëtarësisë aktuale. Nisjen e procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege, pasuar nga procesi i zgjedhjes së Kryetarit të Partisë.

“Synojmë bërjen e PD-së forcë alternativë qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme. Nëse duam të vijojmë me procese që përçajnë, thellojnë ndasi në PD, për mendimin tim ky do ishte gabim historik për momentin ku ndodhet PD-ja”, tha Bardhi.

Gazment Bardhi u shpreh i gatshëm të ulet edhe me Berishën për folur në funksion të kësaj platfome shpëtimi për PD-në.

“Unë nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo, ku kam pranuar të ulem në një tryezë për të mirën e Shqipërisë me kundërshtarin tim natyral politik Edi Rama, nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo nga pjesëtarët e PD-së”, tha Bardhi.

Plani i Bardhit për riorganizimin e PD

1.Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj.

2.Riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë,me synim bashkimin e demokratëve.

3.Krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit

4.Grupi i Punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese.

5.Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk mbështet asnjë proces organizimi të nxituar,të njëanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike.

Top Channel