Kumbaro në Vlorë për Ditën Botërore të Mjedisit: Me ndihmën e qytetarëve, këtë vit dyfishojmë forcat e pastrimit të bregdetit

05/06/2023 14:38

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar Vlorën në Ditën Botërore të Mjedisit, në një prej bashkive që mbështetet nga dikasteri që ajo drejton përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, me qëllim pastrimin e vijës bregdetare me forca shtesë, për të garantuar mbarëvajtjen e një sezoni turistik të suksesshëm.

Ministrja Kumbaro u shpreh se në një sezon me flukse turistike të shtuara, sfida më e madhe është ajo e pastërtisë:  “Vlora i bashkohet programit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për t’u bërë pjesë e operacionit të pastrimit të plazhit gjatë sezonit. Siç e bëmë vitin e kaluar me Himarën, Sarandën, Durrësin dhe Kavajën, bashkohet edhe Vlora me gjithë linjën e plazheve në gjithë territorin e bashkisë ku do të ketë dyfishim të forcave përmes operatorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit duke bërë pastrim të koordinuar me forcat e bashkisë.”

E shoqëruar nga drejtuesit e strukturave lokale të qytetit të Vlorës, Kumbaro iu bashkua disa veprimtarive të pastrimit me të rinj të shkollave dhe klubeve mjedisore të qytetit duke theksuar se dimensioni edukues është mesazhi më i rëndësishëm në një ditë siç është Dita Botërore e Mjedisit.

“Sot jemi bashkë për të dhënë një model për bashkëmoshatarët tuaj në Shqipëri, edhe për të ndihmuar në pastrimin e një pjese qoftë edhe të vogël të territorit, por edhe për të kuptuar, nga mbetjet që do të mbledhim, se ato nuk na vijnë nga Hëna apo Marsi, por jemi ne që çdo ditë në mënyrë të papërgjegjshme i hedhim”, tha ministrja Kumbaro.

Në veprimtaritë e pastrimit u angazhua edhe administrata lokale, si pjesë e Planit Kombëtar të Pastrimit. Kumbaro kërkoi angazhim e ndërgjegjësim nga ana e bizneseve, qytetarëve e turistëve për të bashkëpunuar në betejën për pastrimin e mbetjeve.

Top Channel